I dashur mësues,
Nesër është dita e parë e shkollës, kur pas gati 6 muajsh, shkolla do të gjallërohet sërish. Përpara nesh do të jenë nxënësit që mezi presin t’i kthehen normalitetit të munguar. Le ta shikojme këtë mënyrë organizimi si një ndryshim për të cilin kemi patur nevojë.
Ky vit na priti ndryshe, por falë jush ne u përshtatëm më lehtë. Le ta sfidojmë veten me ketë sistem të ri për të kuptuar kapacitetet tona. Le ta shikojmë si një sfidë personale, por duke mos harruar që në qendër të vëmendjes kemi nxënësin.
Sot, i kemi të gjithë sytë nga ty: nxënësit, prindërit, stafi i shkollës, por edhe familja juaj e çmuar.
Ti do të futesh në klasën tënde, me profesionin e mësuesit, me vigjilencën e kujdestarit, me dijen e mjekut, me afërsinë e shokut dhe me dhembshurinë e prindit. Ata kanë nevojë t’ju shikojnë të sigurt, kompetentë, duke i bërë gjërat me lehtësi dhe sa më të thjeshta. Ja pse misioni i mësuesit është mision jete. Ta kryesh dhe të jetosh me të. Aspak e lehtë, por shume e çmuar.
Ne të gjithë, ju falenderojmë për energjinë, kurajon, gadishmërinë, përkushtimin dhe iniciativat tuaja të vyera! Ju lutemi, po aq sa për nxënësit, kujdesuni për veten dhe mirëqenien tuaj!
Le të vazhdojmë përpara, të gjithë së bashku, për më larg.