“Që shqiptarët të bëhen bashkë, duhet një figurë universale si Skënderbeu, i vetmi përgjatë shekujve që ka arritur t’i bëjë bashkë shqiptarët.”
Ftuar nga presidentet e klubeve të Debatit dhe Medias, gazetari inspirues, Marin Mema, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me anëtarët e të dy klubeve rreth temës tejet të dhimbshme dhe aktuale “Emigracioni: shkaqet, pasojat dhe parandalimi”. Fokusi i diskutimit dhe pikëpyetjeve të nxënësve tanë ishte shkaku i këtij emigrimi masiv e në rritje të shqiptarëve, të cilët vitet e fundit po emigrojnë thuajse në të njëtat shifra të frikshme si në vitet ’90.
Me anë të përgjigjeve elokuente dhe retorikës elegante, Marin Mema krijoi një atmosferë nxitëse intelektuale, që u mirëprit me pyetje po aq intriguese nga intelektualët e rinj të shkollës sonë. I pyetur për mënyrën se si Shqipëria do të arrijë që të bëhet një vend i zhvilluar dhe i stabilizuar, Marini përgjigjet se: “Që shqiptarët të bëhen bashkë, duhet një figurë universale si Skënderbeu, i vetmi përgjatë shekujve që ka arritur t’i bashkojë Shqipërinë dhe Shqiptarët.”
Duke e falenderuar dhe njëherë Marin Memën për vizitën e tij dhe modelin që përçon, do të donim të rikujtonim dhe njëherë të rinjtë shqiptarë se lideri ideal, “Skënderbeu i Ri,” mund dhe duhet të jetë secili prej nesh…